Në industrinë e publikimit të librave në Shqipëri

Nga: Lindita Komani

U bënë vite që sa herë që afrohet tetori e nëntori, autorët gjallërohen dhe vëmendja në Shqipëri përqendrohet në mënyrë më të dukshme tek libri: duke u afruar tetori tek çmimi Nobel për letërsinë me shpresën popullore të përvitshme që të jetë Ismail Kadare ai që e merr atë dhe duke u afruar nëntori tek Panairi i Librit në Tiranë, i cili në mënyrë të suksesshme organizohet nga Shoqata e Botuesve Shqiptare.

Njoh njerëz të ndryshëm të cilët si autorë apo si ish-punonjës shtëpish botuese, janë në ujërat e biznesit të publikimit në Shqipëri, madje disa prej tyre edhe kanë pasur konkretisht në planet e tyre themelimin e shtëpive botuese, përgjithësisht me synimin e promovimit të letërsisë së mirë artistike. Ky synim iu është ushqyer duke pasur parasysh se, çfarë shohin e gjejnë në tregun shqiptar të librit, nuk i kënaq nga ana artistike. Autorë të rinj të cilët për vite kanë shkruar e publikuar në revista letrare, por edhe të tjerë më të afirmuar që kanë disa libra në biografinë artistike, i kam dëgjuar apo lexuar të shkruajnë në thuajse të njëjtën mënyrë përsa i përket shtëpive botuese, duke i konsideruar ata thuajse si armiq të letërsisë shqiptare, për shkak se prej tyre e kanë parë veten të anashkaluar, nëpërkëmbur, injoruar. Por deri më sot nuk kam lexuar apo dëgjuar që ndonjëri prej tyre apo edhe ndonjë ekspert biznesi të gjejë kohën dhe të analizojë e me sa informacion ka mundur të mbledhë, të shkruajë mbi industrinë e publikimit të librave në vendin tonë, për ta njohur atë vetë më mirë, për t’ia bërë më të qartë njerëzve e veçanërisht autorëve se si funksionon, por edhe për t’i dhënë drejtuesve të shtëpive botuese një përqasje tjetër mbi mënyrën se si bëjnë e ndoshta do të ishte më mirë të bënin biznes. Këtë gjë merr përsipër ta realizojë ky shkrim, pa paragjykime.

Publikimi i librit është biznes

Publikimi i librit është biznes fitimprurës. Kjo është maksima që udhëheq punën e shtëpive botuese dhe është ajo që më pak se çdo gjë tjetër autorët, sidomos autorët e rinj duan të dëgjojnë e të pranojnë. Pa paragjykuar as njërën as tjetrën palë, e shkruaj këtë tekst nga këndvështrimi se si unë si autore me eksperiencë në biznes do të ndërtoja një shtëpi botuese e cila të kishte si mision promovimin e letërsisë së mirë.

Analizimi i industrisë për t’u njohur me gjendjen

Në bazë të punës e në plan të parë do të qëndronte analizimi i industrisë së publikimit të librave: njohja me rivalitetin konkurrues brenda saj, i ndikuar nga fuqia e blerësve, fuqia e furnizuesve, rreziku nga hyrjet e reja dhe nga zëvendësuesit. Kjo analizë do të më kërkonte të dhëna mbi shtëpitë botuese, forcën dhe specializimin e tyre në treg, burimet kryesore të të ardhurave dhe kostove që ata kanë, të dhëna mbi prirjet e lexuesve duke iu referuar shitjeve aktuale dhe të viteve të shkuara, të dhëna mbi emrat dhe cilësinë e autorëve vendas, të dhëna mbi emrat dhe cilësinë e përkthyesve dhe redaktorëve vendas, të dhëna mbi atë që konsiderohet letërsi cilësore dhe letërsi bestseller në nivel ndërkombëtar dhe të dhëna kontakti me shtëpitë botuese që kanë të drejtat e autorëve të vlerësuar si cilësorë dhe të cilësuar si bestseller. (Shënim: Siç pranohet gjerësisht, fjalët cilësor dhe bestseller pranë emrave autor dhe libër nuk vendosen krah për krah, por në raste fatlume mund të ndodhë që të shkojnë edhe krah për krah.) Do të merrja pjesë në panairin e librit që të njihesha më mirë me forcën dhe cilësinë prezantuese të shtëpive botuese, si përsa i përket cilësisë dhe tërësisë së botimeve që ata kanë nxjerrë në treg ashtu edhe përsa i përket e personelit që ato kanë. Do të konsultohesha me faqen e internetit të Shoqatës së Botuesve Shqiptare që të merrja një vështrim të përmbledhur mbi sektorin dhe siç ndodh me shoqata nga sektorë të tjerë të biznesit, të shpresoja të fitoja të dhëna statistikore përmes ndonjë studimi që kjo shoqatë mund të ketë realizuar mbi industrinë dhe sfidat e saj për zhvillim.

Statistikat që mund të mblidhen

Konkretisht puna kërkuese do të më tregonte si fillim se një botim statistikor mbi industrinë e publikimit të librit dhe sfidat e saj për zhvillim nuk ekziston ende dhe se të gjithë të dhënat do të duhej t’i mblidhja përmes të njohurve. Për numrin e shtëpive botuese do të mësoja që ekzistojnë rreth 60 shtëpi botuese, nga të cilat rreth 10-15 janë ato që bëjnë vërtet biznes, kurse të tjerat përballen më shumë me sfidën për mbijetesë. Do të shihja që panairi i librit është një platformë e mirë prezantimi për të gjithë që janë në gjendje të marrin pjesë në të, që nënkupton që ata kanë edhe cilësinë e duhur të botimeve për të tërhequr vëmendjen e publikut, i cili në ato 4-5 ditë të panairit, pavarësisht çfarëdolloj krize, është i etur të shpenzojë/investojë në blerje librash. Do të dëgjoja nga librarët por edhe nga shtëpitë botuese që librat që më shumë shiten janë ata jo-artistikë, por edhe ndër librat artistikë ata që më shumë kanë sukses, janë librat bestseller të huaj. Do të dëgjoja që për këta libra kujdesen vetë shtëpitë botuese që të vijnë në kohë e në sasinë e duhur në librari, ndërkohë që për librat me autorë shqiptarë, në të shumtën e rasteve, janë autorët vetë që duhet të merren me shpërndarjen dhe negociimin me librarët.

Vetëfinancimi nga autorët si burim të ardhurash për shtëpitë botuese

Do të dëgjoja nga drejtuesit e shtëpive botuese që ata publikojnë edhe autorë shqiptarë, por të cilët më shumë se si furnizues me “lëndë të parë”, i kanë si klientë për mundësinë që shtëpitë botuese iu ofrojnë: që librin e përfunduar dhe redaktuar nga vetë autori, ta marrin në dorë të faqosur, dizenjuar, lidhur dhe me një numër ISBN për të. Për këtë lloj burimi të ardhurash, drejtuesit e shtëpive botuese do të thonë se shtypshkronjat prishin punë, por se shtëpitë botuese gjithsesi janë mbi shtypshkronjat, sepse kanë me vete prestigjin që e mban vetëm një shtëpi botuese e konsoliduar në vite. Sidoqoftë, në mënyrë indirekte, pranohet se shtypshkronjat janë zëvendësues të fortë për shtëpitë botuese, posaçërisht për të gjithë autorët që e vetëfinancojnë publikimin e librave dhe synojnë për të pasur kosto sa më të ulët prodhimi. Kjo vlen jo vetëm për librat artistikë, por edhe për librat e çdo natyre tjetër të publikuar nga autorë shqiptarë, sepse problemin që zakonisht e kanë autorët shqiptarë të letërsisë artistike, e kanë edhe shumë prej të tjerëve që duan të publikojnë arritje shkencore, studime historike, sociologjike, etj.

Dhe kjo është e lidhur jo detyrimisht me cilësinë, por më së pari me sasinë që do të mund të shitet nga librat e shtypur dhe stokun që do të mbetej në vend në magazinë. Ndaj edhe rrezikun financiar të lidhur me mosshitjen e librave, shtëpitë botuese e lënë krejtësisht tek autori, duke e kthyer atë nga prodhues dije dhe arti në klient, deri urrejtës e përçmues i shtëpive botuese.

Pirateria

Duke kuptuar këtë burim të konfliktit dhe të temës së kritikës e cila e ndjek industrinë shqiptare të publikimit të librave prej shumë vitesh, do të dëgjoja se lidhur me librat e përkthyer nga gjuhë të tjera, një problematikë tjetër rëndon mbi botuesit që investojnë në blerjen e të drejtave të autorit nga shtëpitë e huaja botuese. Pirateria. Pa shpresë për të gjetur zgjidhje e për t’u luftuar ashtu siç do të duhej. Shumë përkthime qarkullojnë, me cilësi të dobët, pa leje përdorimi të së drejtë së autorit, dëmtuese të biznesit të shtëpive botuese të cilat e blejnë këtë të drejtë.

Çfarë tregon bilanci i vitit 2012?

Rezulton se 1675 libra janë publikuar në vitin 2012 e nga këta 545 janë të letërsisë artistike e nga këta 373 tituj i përkasin letërsisë në gjuhën shqipe.

Ndër librat jo-artistikë që përbëjnë peshën kryesore, do të dëgjoja se një pjesë e rëndësishme është ajo e teksteve shkollore për të gjitha nivelet që është një burim i sigurtë të ardhurash. Kjo fushë do të kërkonte pjesëmarrjen në tendera për publikimin e teksteve shkollore dhe fitimin e tyre.

Ndër librat artistikë një burim tjetër i sigurtë do të ishte me autorët shqiptarë që duan të publikojnë me investim vetiak.

Puna e vërtetë që pritet nga një shtëpi e mirë botuese do të mbetej të ishte: përkthimi i letërsisë artistike dhe jo-artistike botërore e cila pjesërisht do të bëhet se vjen nga autorë bestseller e të cilët do të më sigurojnë fitime të mira dhe letërsi nga autorë cilësorë, por për të cilët marzhi i fitimit do të jetë më i ulët, sepse nuk shesin shumë. Në këtë drejtim, nëse do të isha largpamëse, të kryeja deri në fund atë funksion që publiku i gjerë pret nga një shtëpi e mirë botuese vendase, përveçse në përkthimin e autorëve të huaj, do të investoja në gjetjen e talenteve shqiptare, librat e të cilëve të merrja përsipër vetë që t’i publikoja, duke i lidhur autorët me kontratë që rregullojnë marrëdhënien e tyre me shtëpinë botuese dhe ndarjen e fitimeve nga librat e shitur. Për të zbuluar talentet, do të kërkoja për “talent scouts”, por do të dëgjoja se të tillë “talent scouts” në treg nuk ka edhe aq të shumtë ose ndoshta nuk ka asnjë syresh që ta bëjë këtë në mënyrë të vetëdijshme si profesion. Do të kërkoja ndihmë përmes shkrimeve kritike mbi vepra të autorëve shqiptare dhe vështirë se do të gjeja të tilla. Pra, dy hallka të rëndësishme që do të duhej të mbështesnin shtëpitë botuese, do të kuptoja se i  mungojnë industrisë dhe se punën zbuluese dhe vlerësuese me shumë gjasa do të duhej ta mbuloja vetë. Por me synimin e mirë të zbulimit dhe zhvillimit të letërsisë vendase artistike dhe jo-artistike, do të synoja të punësoja një zbulues talentesh, një kritik dhe një redaktor, që në rastin ideal meqë biznesi do të ishte në fillimet e veta, do të ishte një person i vetëm i cili të mund t’i mbulonte të tre këto funksione. Për të siguruar shitje të mira, do të kërkoja të gjeja promovues të mirë në treg dhe ndërkohë që do e bëja këtë, do të dëgjoja se në industrinë e librit këtë funksion në më të shumtën e rasteve, e mbulojnë vetë drejtuesit e shtëpive botuese.

eBooks dhe shitjet online

Do të konstatoja se temat eBooks dhe shitjet online janë ende larg vëmendjes së shtëpive botuese dhe këtu do të shihja që ka veçanërisht vend për të bërë ndryshim e sjellë risi në industri. Shqiptarët janë shumë të pranishëm në internet, qoftë si lexues, qoftë si shkrues – veçanërisht autorët e rinj. Ata janë shumë aktivë në rrjetet sociale dhe priren drejt komunikimit. Por shtëpitë botuese ende nuk janë në formën që e bëjnë simotrat e tyre në vende të tjera.

Publikimi i librave elektronike do të kushtonte më pak dhe promovimi i tyre do të mund të ndodhte krahas të provuarit të paisjeve me të cilat këta libra do të mund të lexoheshin. Kjo do të mund të bëhej në panairet e përvitshëm të librit, por edhe në librari e platformat për shitjen e librave online.

Shfrytëzimi i platformave ekzistuese të shitjeve online, si atyre të huaja ashtu edhe atyre shqiptare, do të ishte një fokus tjetër i rëndësishëm. Pse jo, të mundësohej shitja online direkt edhe në vetë faqen e internetit të shtëpisë botuese.

Mundësitë elektronike do të afronin edhe atë pjesë të lexuesve që për shkak të emigracionit Shqipërinë e gjuhën shqipe i arrijnë përmes internetit, duke e bërë tregun e arritshëm për librin në gjuhën shqipe shumë më të madh se ai që perceptohet në kufijtë tokësorë brenda të cilëve jetojnë shqiptarë.

Marrëdhëniet mes shtëpive botuese dhe konsolidimi i industrisë

Sa i përket marrëdhënieve mes shtëpive botuese, do të mësoja se ato rregullohen deri diku brenda Shoqatës së Botuesve Shqiptare, por pirateria dëmton shumë brenda kësaj marrëdhënieje, sikurse dëmtojnë dhe mënyrat se si fitohen tenderat për tekstet shkollore, që janë ata që sigurojnë një bazë të fortë financiare për shtëpitë botuese.

Sido qoftë kjo marrëdhënie, në rast se do të kisha forcën e një shtëpie të rëndësishme botuese, do të studioja me vëmendje zhvillimin e shtëpive më të vogla botuese jo vetëm në Shqipëri, por edhe Kosovë e Maqedoni ku gjithashtu ekzistojnë shumë të tilla, për të shquar ato në mes tyre që kanë ofruar më shumë cilësi në treg, kanë zhvilluar personelin e tyre, janë specializuar e kanë krijuar një profil të qartë, për të parë mundësinë e blerjes dhe integrimit të tyre: për të konsoliduar fuqinë financiare, për të krijuar sinergji në prodhim, për të fituar ekspertizë e fokus nishë që mund të mungojë. Industria ka hapësirë për konsolidim. Me rreth 60 shtëpi botuese që operojnë vetëm në Shqipëri, ka hapësirë për të punuar me llogjikë të ftohtë biznesi për të shkrirë biznese apo blerë biznese në këtë industri.

Investimi

Duke përmbledhur informacionet e fituara dhe duke njohur prirjet e mia, do të kuptoja se mbi cilat shtylla fitimprurëse do të duhej të bazoja biznesin nëse kam vërtet synim të arrij fitime në afatin e shkurtër dhe mbi cilat shtylla jofitimprurëse do të duhej ta bazoja biznesin në afatin e shkurtër nëse do të kisha si synim sukses më afatgjatë si biznes.

Nisur veçanërisht nga prirjet personale për të mbështetur rritjen e cilësisë në treg dhe promovimin e sa më shumë letërsie artistike, do të kuptoja se do të më duhej të kisha një gamë të gjerë publikimesh, shoqëruar me aftësi për të fituar tendera ose të zhvilloja edhe një biznes tjetër mbështetës nga i cili të kisha fitime të mëdha e në këtë mënyrë të kompensoja humbjet në biznesin e publikimit të librave. Në këtë mënyrë do të mund të arrija në fitime të arsyeshme që të më nxisin të vazhdoj të bëj biznes. Kjo do të duhej të ndodhte të paktën për një kohë të mirë, derisa lexuesit të kishin pranuar që duhet të paguajnë më shumë për të blerë libra cilësore, të duan të blejnë libra që respektojnë të drejtën e autorit, që duan të lexojnë më shumë letërsi vendase për t’i dhënë një shans rritjes së autorëve të rinj shqiptare dhe zhdërvjellësimit të mëtejshëm të gjuhës shqipe. E kur kjo pikë e pjekjes së publikut të kishte arritur, vëmendja do të mund të përqendrohej aty ku prirja më çon, për tek letërsia artistike.

Vlerësoj se në një investim të kryer mbi këtë llogjikë, mes të tjerash do të fitoja një gjë me shumë rëndësi, kënaqësinë personale dhe ndoshta edhe reputacionin si mbështetëse e letërsisë cilësore në Shqipëri, një mision që më shumë biznese të kësaj industrie do të ishte mirë t’ia vinin vetes. Kjo kënaqësi nuk është irracionale. Ajo është jo vetëm e botuesit largpamës por në të njëjtën kohë edhe e lexuesit. Dhe nuk do të jetë e largët dita kur ai, lexuesi, të diferencojë qartë mes shtëpive botuese që mbjellin dhe rrisin vlerë dhe atyre që nuk e bëjnë këtë. Shenjat për këtë janë të dukshme dhe mendimi forcohet edhe më tej nga fakti që shqiptarët janë një popull i prirur drejt dijes dhe jetojnë sot në liri.

Aktivizimi në Shoqatën e Botuesve Shqiptarë

Si shtëpi e re botuese, do të aktivizohesha brenda Shoqatës së Botuesve Shqiptare dhe do të punoja për ndërgjegjësimin edhe të botuesve të tjerë që forca e kësaj shoqate mund të rritet shumë nëse të gjithë do të kuptonin se ajo mund të ndihmojë në rregullimin e tregut dhe në mposhtjen e sfidave të rëndësishme të industrisë. Do të sugjeroja dhe do të prisja që shoqata të aktivizohet në drejtime të rëndësishme si: edukimi i publikut drejt letërsisë cilësore, edukimi i redaktorëve, edukimi i kritikëve, edukimi i agjentëve letrare, ofrimi i platformave të konkursit për autorët e rinj vendas për zbulimin e talenteve, edukimi i botuesve mbi rëndësinë e personelit të kualifikuar, mbi rolin që ka vlera e produktit që ata sjellin në treg për vlerën afatgjatë që do të marrë biznesi i tyre, realizimi i studimeve me interes për njohjen e sfidave brenda industrisë dhe mundësitë e zhvillimit të saj, promovimi i përqendruar i industrisë përmes një platforme shumë aktive në internet.

Dhe së fundmi ...

U bënë vite që sa herë që afrohet tetori e nëntori, autorët gjallërohen dhe vëmendja në Shqipëri fokusohet në mënyrë më të dukshme tek libri. Si autore dhe me eksperiencë në biznes e mbi të gjitha si njeri që në gjuhën shqipe do të doja të lexoja me të njëjtën kënaqësi që përftoj kur lexoj edhe në gjuhë të tjera, do të uroja që disa prej shtëpive të rëndësishme botuese në Shqipëri që tashmë kanë fuqi dhe stabilitet financiar si dhe biznesmenë të tjerë që kanë ndjesi të ngjashme me sa u soll ne këtë tekst për librin dhe leximin në gjuhën shqipe, të kalonin nëpër këtë proces vlerësimi të gjendjes dhe të kuptonin se investimi largpamës në këtë industri do të ishte ai që do të bënte ndryshimin e madh në tregun e librit dhe në një këndvështrim më afatgjatë do të ishte fitimprurës për investuesit. Dhe deri sa drejtuesit e shtëpive botuese ta bëjnë këtë për shkak se i çon aty vendimi i shëndoshë i një biznesi që do të zhvillohet, autorët dhe publiku, në mos në mënyrë të plotë, të kenë deri diku mirëkuptim. Në pamundësi për subvencionim të gjerësishëm të kulturës nga shteti, industria e publikimit të librave në gjuhën shqipe ka nevojë për biznese që arrijnë t’i mbijetojnë krizave dhe e shfrytëzojnë këtë kohë për t’i dhënë drejtimin e duhur të ardhmes së tyre duke mbartur në vete denjësisht misionin e promovimit të letërsisë së mirë dhe zhvillimit të kulturës shqiptare.

Shtator 2013